Qytetari që ka krejt familjen me COVID i shkruan Kurtit....

  • S.A /
  • 12 April 2021 - 08:21
Qytetari që ka krejt familjen me COVID i shkruan Kurtit....

Qeveria ditë më parë ka marrë vendim për mbyllje të gastronomisë, derisa, është kufizuar edhe lëvizja në orare të caktuara. Në anën tjetër, kreu i Qeverisë, pas vendimit për mbyllje i ka kushtuar rëndësi të veçantë zgjedhjeve në Shqipëri, e jo situatës ekonomike e shëndetësore në të cilën gjendet Kosova

Për këtë arsye, në drejtim të tij kanë shkuar kritika nga disa fytyra publike.

Këtu përfshihet edhe një qytetar, Arian Lumezi, që Kurtit iu është drejtuar publikisht në rrjetin social Twitter.

Lumezi ka treguar se e gjithë familja janë të infektuar me COVID 19, derisa gjyshes së tij janë detyruar t’ia blejnë edhe aparatin e oksigjenit, pasi që ka mungesë.

I njejti ka thënë se edhe ndihma financiare për ta ndihmuar biznesin e familjes së tyre nuk është ekzekutuar.

“Gjyshja ime në gjendje kritike në terapi oksigjeni me aparat të blerë nga familja se spitali s’ka; baba i shtruar në spital me terapi të mushkërive; krejt familja e infektuar. Pakoja financiare për punëtorët e biznesit të familjes që tash kanë mbetë pa punë s’është askund”, ka thënë ai, duke shtuar se Kurti po merret me probleme tjera, e jo ato të Kosovës.

“Kryeministri  merret me problemet e komunitetit shqiptar në Itali; ministrat e deputetët – të votuar për t’u marrë me problemet e Kosovës – janë në fushatë në një vend tjetër që ka siguru vaksinat. Qeveria nuk kujdeset për respektimin e masave që vet i vendosi.  Shumica e njerëzve që i njoh e më rrethojnë kanë qenë entuziastë dhe kanë bërë çmos me votu për ardhjen e qeveritarëve që mërziten për qytetarët e vet – në familje dhe më gjerë”, ka thënë ai.

“Nuk na intereson fare bashkimi me askënd. Besimin tonë po e keqpërdorni çnjerëzishëm. Urrejtja që ndjej për këtë tradhti është e papërshkrushme. Ia dolët të na mashtroni këtë herë, veç këtë urrejtje do ta ruaj me kujdes për ditën e zgjedhjeve të ardhshme. I keni duart me gjak. A e paramendon dikush aty nga Qeveria si e kanë gjendjen njerëzit që janë edhe më keq?! S’keni si ta paramendoni se jeni në vende fqinje duke u arrestuar në protesta për punë që s’ju takojnë”, shton i njejti.

 

(Kosova Sot Online )