Vjosa Osmani: Prioritet është sigurimi i vaksinave

  • E.K /
  • 12 prill 2021 - 15:26
Vjosa Osmani: Prioritet është sigurimi i vaksinave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit. Duke e falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunimin, Osmani nënvizoi se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.

“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë Covid–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, tha presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.

Ambasadori Minxhozi, pasi i uroi Osmanin zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.

“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, tha Minxhozi.

(Kosova Sot Online)