Vaksina ruse “Sputnik V” miratohet në një prej shteteve të më mëdha në botë

  • E.K /
  • 13 April 2021 - 11:13
 Vaksina ruse “Sputnik V” miratohet në një prej shteteve të më mëdha në botë

Fondi Rus për Investime Direkte tha të hënën se India e ka miratuar për përdorim vaksinën ruse për Covid-19, “Sputnik V”.

India i zuri vendin Brazilit për t’u bërë shteti i dytë në botë për numrin më të madh të rasteve me Covid-19 pas Shteteve të Bashkuara, në kohën kur vendi po përballet me valën e dytë të pandemisë, ndonëse janë vaksinuar mbi 100 milionë njerëz.

“India, shteti i dytë më i populluar në botë, u bë shteti i 60-të që e regjistroi Sputnik-un pas rezultateve pozitive të një studimi të fazës së tretë në njerëz. Sputnik V tashmë është e autorizuar në 60 shtete me popullsi prej mbi 3 miliardë njerëzish”, thuhet në postimin e një llogarie zyrtare për këtë vaksinë në rrjetet sociale.

Më herët të hënën, dy burime të afërta me këtë çështje thanë se paneli i Organizatës së Përgjithshme për Kontroll Standard të Ilaçeve e ka rekomanduar autorizimin e kësaj vaksine.

Fondi Rus për Investime Direkte ka nënshkruar marrëveshje për prodhimin e mbi 750 milionë dozave të vaksinës “Sputnik V” në Indi me gjashtë kompani vendore, shkruan The Guardian.

India deri më tani ka përdorur dy lloje të vaksinave për vaksinim të popullsisë: vaksinën e kompanisë “AstraZeneca” dhe atë të kompanisë vendore, “Bharat Biotech”.

(Kosova Sot Online)