Rregullatori amerikan kërkon pezullimin e kësaj vaksine pas mpiksjeve

  • G.G /
  • 13 April 2021 - 13:56
Rregullatori amerikan kërkon pezullimin e kësaj vaksine pas mpiksjeve

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve dhe Qendrat për Kontrollimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që të ndërpritet përdorimi i vaksinës së kompanisë “Johnson & Johnson” në ShBA pas regjistrimit të gjashtë rasteve të mpiksjes së gjakut te gratë.

Këto dy institucione të larta federale do ta ndërpresin përdorimin e vaksinës së prodhuesit amerikan në qendrat federale të vaksinimit dhe do t’u bëjnë thirrje shteteve të ShBA-së veç e veç që ta ndërmarrin të njëjtin veprim.

Shtatë milionë persona në Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë marrë vaksinën e kompanisë “Johnson & Johnson”, që i bie se vetëm 0.0001 për qind e të vaksinuarve kanë pësuar mpiksje gjaku, shkruan Daily Mail.

Gjashtë personat që pësuan mpiksje gjaku pas vaksinimit ishin të moshës 18 deri në 48-vjeçare. Sipas të dhënave të autoriteteve, shteteve të ShBA-së u janë dërguar nëntë milionë doza të vaksinës së kompanisë “Johnson & Johnson”.

Në deklaratën e përbashkët të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve dhe Qendrave për Kontrollimin e Sëmundjeve thuhet: “Ne rekomandojmë një pauzim në përdorimin e kësaj vaksine si masë e shtuar kujdesi”.

Qendrat për Kontrollimin e Sëmundjeve do të organizojnë takim të Komisionit Këshillues për Imunizim të mërkurën për t’i analizuar rastet e mpiksjes së gjakut dhe për ta vlerësuar peshën e tyre.

(Kosova Sot Online)