Shpërthen Covid-19 në këtë vend, shënohet rekord prej mbi 200.000 rastesh për një ditë

  • E.K /
  • 15 April 2021 - 09:07
 Shpërthen Covid-19 në këtë vend, shënohet rekord prej mbi 200.000 rastesh për një ditë

India raportoi rekord prej më shumë se 200 mijë rasteve të reja me Covid-19 të enjten, ndërsa qendra financiare, Mumbai, u fut në izolim në kohën kur shumë spitale për koronavirus raportuan mungesë të shtretërve dhe mungesë të oksigjenit mjekësor.

Kjo shifër ishte rekordi i shtatë i rasteve ditore në tetë ditët e fundit dhe erdhi në kohën kur India po lufton me një valë të dytë masive të infeksioneve që epiqendrën e ka në rajonin e Maharashtras, ku ndodhet Mumbai.

India shënoi saktësisht 200 mijë e 739 raste me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1 mijë e 38 viktima dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në mbi 173 mijë, shkruan Reuters.

Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i të infektuarve shkoi në 14.1 milionë, që është shifra e dytë më e lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, të cilat prijnë bindshëm me 31.4 milionë të infektuar.

Shtimi i rasteve në Indi mund të ketë ndikim negativ në fushatën e vaksinimit në shumë shtete, sepse ky vend e ka ndaluar përkohësisht eksportimin e vaksinave për Covid-19 që prodhohen atje për t’i plotësuar nevojat e veta.

(Kosova Sot Online)