Jens Spahn bën thirrje për ashpërsim të shpejtë të masave pas shtimit të rasteve

  • E.K /
  • 15 April 2021 - 10:14
Jens Spahn bën thirrje për ashpërsim të shpejtë të masave pas shtimit të rasteve

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, u bëri thirrje 16 shteteve federale të Gjermanisë që të vendosin masa më të rrepta kufizuese për ta ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Ai tha se udhëheqësit rajonalë nuk duhet ta presin miratimin e ligjit shtetëror në kuvend që të bëhet një gjë e tillë, shkruan Reuters.

“Ne e dimë nga vjeshta e kaluar se çfarë ndodh kur nuk veprojmë shpejt”, tha ministri Spahn para gazetarëve, duke shtuar se mjekët presin që në kujdesin intensiv të jenë 6.000 pacientë deri në fund të këtij muaji.

Ndryshe, drejtori i institutit gjerman për sëmundje ngjitëse, Lothar Wieler, u bëri thirrje politikanëve të enjten që të ndërmarrin veprime të prera urgjentisht për ta mbajtur nën kontroll valën e tretë të pandemisë.

Gjermania të enjten regjistroi 29.426 raste të reja me Covid-19, që është shifra më e lartë ditore që nga 8 janari. Shifra e përgjithshme e infektimeve shkoi në mbi 3 milionë e 70 mijë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 293 të vdekur dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 79.381.

(Kosova Sot Online)