Dosja e prokurorisë për tetë zyrtarët e arrestuar në Ferizaj, iu konfiskohen rreth 18 mijë euro

  • E.K /
  • 16 April 2021 - 12:16
 Dosja e prokurorisë për tetë zyrtarët e arrestuar në Ferizaj, iu konfiskohen rreth 18 mijë euro

Tetë zyrtarë të Drejtorisë së Bujqërisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt kanë përfunduar në pranga dje nga Policia e Kosovës. Të dyshuarit me inicialet N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., po dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për marrje të ryshfetit.

Por çfarë thotë prokuroria për rastin  tyre?

Sipas dosjes së prokurorisë për tetë personat me inicialet N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2020, në territorin e Komunës së Ferizajt, të pandehurit në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, kanë shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete dhe për personat e tjerë.

Më tutje në kërkesën për paraburgim të prokurorisë theksohet se ata me dashje nuk kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj, përkatësisht kanë vepruar në kundërshtim me nenin 7 të Udhëzimit Administrativ numër 05/2010 për mbrojtjen e pyjeve, përgjegjësitë dhe obligimet e rojës së pyllit, në atë mënyrë që edhe përkundër faktit se janë të obliguar që në momentin kur hasin dëmtuesit e pyjeve duke pre dru në mënyrë të kundërligjshme, t’iu shqiptojnë fletëparaqitje, të njëjtit nuk e bëjnë fare një gjë të tillë por arrijnë marrëveshje me ta dhe si kundërvlerë për mos shqiptimin e fletëparaqitjeve, marrin shuma të ndryshme të të hollave nga ata duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt, me çka secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafin 3 nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje edhe për personat me të cilët kanë bashkëpunuar të akuzuarit.

Sipas prokurorisë të pandehurit në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë dhe pranojnë ryshfet nga të pandehurit H.N, A,K R.A dhe I. Q,, ashtu që nga të njëjtit marrin shuma të ndryshme të parave ndërsa u mundësojnë prerjen dhe bartjen e drunjëve në mënyrë të kundërligjshme pa u shqiptuar fletëparaqitje, me çka secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., sipas prokurorisë pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës, kanë mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim, armë të ndryshme, të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë, i’u gjenden dhe sekuestrohen, me çka kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.​

Në ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në zyrën  e tyre dhe në dymbëdhjetë lokacione tjera, u janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: shtatëmbëdhjetë  mijë e shtatëqind (17.700.00)€, gjashtë pushkë gjuetie, dy pistoleta, tetë karikatorë, pesëdhjetë e katër fishekë të kalibrave të ndryshëm, shtatëmbëdhjetë telefona mobil, një çekan për damkosje dhe disa materiale tjera (fletore gjepi, fletë-paraqitje, bllok evidence, raporte, formular të ndryshëm).

 Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

(Kosova Sot Online)