Ky shtet del “vullnetar” për ta organizuar takimin Biden-Putin

  • G.G /
  • 16 April 2021 - 12:59
Ky shtet del “vullnetar” për ta organizuar takimin Biden-Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ditë më parë i propozoi homologut rus, Vladimir Putin, që të zhvillojnë një samit që nuk do të mbahej as në ShBA, as në Rusi, por në një shtet tjetër. Duket se kjo ofertë i ra në vesh një presidenti tjetër.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, ka bërë ofertë që vendi i tij ta organizojë takimin e mundshëm mes kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe shefit të Kremlinit, tha zyra presidenciale e Finlandës të premten.

“Kur bëhet fjalë për këtë takim të mundshëm, gatishmëria e Finlandës për ta organizuar atë u është paraqitur edhe Uashingtonit, edhe Moskës”, tha një zëdhënës i zyrës së presidentit finlandez.

Kjo nuk do të ishte hera e parë që shteti skandinav do të organizonte një takim të tillë të nivelit të lartë mes liderëve të dy shteteve më të fuqishme ushtarakisht në botë.

Në vitin 2018, Finlanda e organizoi takimin mes ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, në Helsinki, shkruan NDTV.

Megjithatë, Finlanda ishte kritikuar për këtë organizim, sepse për disa kishte dhënë përshtypjen se është shtet neutral në raport me dy fuqitë botërore e jo vend që i përket gjirit të shteteve perëndimore e anëtare e BE-së.

(Kosova Sot Online)