Iranit “i djegin” edhe sanksionet e ShBA-së ndaj Rusisë, ja si i quan

  • S.A /
  • 17 April 2021 - 09:14
Iranit “i djegin” edhe sanksionet e ShBA-së ndaj Rusisë, ja si i quan

Irani të premten i kritikoi Shtetet e Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke i quajtur ato “hap fals”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, tha përmes një deklarate se vendi i tij i kundërshton vendosmërisht sanksionet e reja të Uashingtonit ndaj Moskës, shkruan Anadolu.

Në deklaratë thuhet se varësia e Uashingtonit ndaj sanksioneve kundër shteteve tjera duke u mbështetur në pretendime të pabaza është shndërruar në qasje institucionale dhe se ndryshimi i qeverisë nuk e ka ndryshuar këtë qasje.

Deklarata e Iranit ishte reagim ndaj njoftimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për një varg sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë dëbimin e dhjetë diplomatëve rusë të dyshuar për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulme kibernetike.

Ndaj këtyre sanksioneve ka reaguar menjëherë Rusia, e cila të premten mori masa hakmarrëse duke u kërkuar dhjetë diplomatëve amerikanë që të largohen nga shteti.

Moska gjithashtu do të fusë në listë të zezë tetë zyrtarë të lartë amerikanë dhe do t’i ashpërsojnë rregullat e punës për diplomatët e ShBA-së në Rusi, tha ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.

(Kosova Sot Online )