Siguri e lartë për varrimin e Princit Filip, kontrollohen edhe kanalet

  • E.K /
  • 17 April 2021 - 13:29
 Siguri e lartë për varrimin e Princit Filip, kontrollohen edhe kanalet

Policë të shumtë i kanë rrethuar Pallatin Buckingham dhe Kështjellën Windsor si pjesë e operacionit të sigurisë gjatë zhvillimit të funeralit të Princit Filip të Britanisë së Madhe, i cili u shua javën e kaluar.

Madje, siguria është aq e lartë, saqë policia i ka kontrolluar edhe kanalet dhe lumenjtë përreth kështjellës për të identifikuar ndonjë kërcënim të mundshëm dhe u ka bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë larg kështjellës.

Në Londër, të gjitha rrugët që dërgojnë te Pallati Buckingham janë bllokuar, ndërsa shumë policë po shihen duke patrulluar në parqet përreth dhe një helikopter po fluturon në qiellin e kryeqytetit britanik, shkruan Daily Mail.

Shërbimi funeral pritet të fillojë në orën 15 sipas kohës lokale dhe do të përcillet me një ceremoni tetëminutëshe nga regjimentet ushtarake të Forcave Ajrore, Forcave të Armatosura dhe Forcave Detare. Në këtë ceremoni do të marrë pjesë familja e ngushtë e princit.

Policë me snajperë janë parë në kulmet e ndërtesave dhe forca tjera po patrullojnë rrugëve, pavarësisht numrit të vogël të njerëzve që kanë dalë jashtë këtë të shtunë afër zonës ku do të zhvillohet ceremonia.

(Kosova Sot Online)