OBSh-ja raporton shkallë alarmante të pacientëve të moshës 25- deri në 59-vjeçare

  • E.K /
  • 20 April 2021 - 09:55
 OBSh-ja raporton shkallë alarmante të pacientëve të moshës 25- deri në 59-vjeçare

Numri i rasteve të reja me Covid-19 shënoi rritje për të tetën javë radhazi, me mbi 5.2 milionë raste të raportuara, që ishte rekord javor.

Gjatë kësaj periudhe u shënua numër alarmant i hospitalizimeve të personave të moshës 25- deri në 59-vjeçare në mbarë botën, tha drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së të hënën.

“Vdekjet shënuan rritje për të pestën javë radhazi dhe mbi tre milionë të vdekur tashmë janë raportuar në OBSh”, tha Tedros Adhanom gjatë raportimit që mbahet dy herë në javë, shkruan Anadolu.

Ai tha se shifra prej një milion të vdekurve u shënua për nëntë muaj, shifra prej dy milionë viktimave për katër muaj, ndërsa numri prej tre milionë të vdekurve vetëm për tre muaj.

“Infeksionet dhe hospitalizimet te personat e moshës 25- deri në 59-vjeçare janë duke u rritur në shkallë alarmante, me gjasë si rezultat i varianteve më ngjitëse dhe përzierjes së shtuar sociale në mesin e të rriturve më të rinj”, shtoi drejtori i OBSh-së.

Ai gjithashtu e theksoi rëndësinë e ajrit të pastër, duke thënë se ndotja e tij është kthyer në nivelin si para pandemisë në shtator të vitit të kaluar dhe se mbi nga ajri i ndotur vdesin shtatë milionë njerëz në vit, më shumë se dyfishi i të vdekurve nga Covid-19 deri më tani.

(Kosova Sot Online)