Ky shtet ngurron që ta miratojë AstraZeneca-n: Ende po presim të dhëna

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 09:56
 Ky shtet ngurron që ta miratojë AstraZeneca-n: Ende po presim të dhëna

Rregullatori zviceran i ilaçeve ende është duke i pritur të dhënat e nevojshme për ta shqyrtuar miratimin e vaksinës së AstraZeneca-s, tha një zyrtar i “Swissmedic”-ut të martën, duke shtuar se ende duhet të dorëzohen të dhëna.

Kompania “AstraZeneca” ishte prodhuesi i parë që e kërkoi miratimin për përdorim në Zvicër, në tetor të vitit të kaluar, por nga ajo kohë është lënë nën hije nga tri vaksina të tjera, të cilat janë miratuar nga rregullatori zviceran – vaksinat e “Pfizer”-it, “Moderna”-s dhe “Johnson & Johnson”.

Claus Bolte, shef për miratime në rregullatorin zviceran, tha se procesi i miratimit të vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” është zvarritur si pjesë e një situate të kuriozitetit, e krijuar nga publikimi i të dhënave fillestare nga kompania muajin e kaluar, të cilat u kritikuan nga zyrtarët amerikanë.

“Njësoj si Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e ShBA-së, ne jemi duke pritur për rezultatet e testimit në njerëz në Amerikën Latine dhe Amerikën Veriore. U njoftua për këtë katër javë më parë, por fatkeqësisht ende nuk janë dorëzuar të dhënat. Ne duam të vendosim për miratim, por kjo nuk është e mundshme tash për tash”, deklaroi Bolte.

Për shkak të lidhjes së mundshme të kësaj vaksine me mpiksjen e gjakut, zyrtari zviceran tha se vendi i tij mund të bëjë rekomandime për kufizimin e përdorimit të saj sipas grupeve të caktuara, nëse të dhënat do ta mbështesnin masën e këtillë.

Vetë kompania nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Disa ditë më parë, Agjencia Evropiane e Ilaçeve tha se rreziku nga vdekja prej Covidit është shumë më i lartë sesa rreziku nga vdekja prej efekteve të rralla anësore të vaksinës.

(Kosova Sot Online)