Ish-polici që mbyti Floydin dërgohet në burg me siguri maksimale ku s’ka ikur askush

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 11:28
 Ish-polici që mbyti Floydin dërgohet në burg me siguri maksimale ku s’ka ikur askush

Ish-polici Derek Chauvin, i cili një ditë më parë u dënua për vrasjen e George Floyd-it, u dërgua në një burg me siguri maksimale dhe u vendos nën vëzhgim kundër vetëvrasjes, pasi u shpall fajtor për tri pikat e aktakuzës.

I dënuari u shfaq i ftohtë dhe pa emocione, përderisa gjykatësi Peter Cahill e lexoi vendimin e trupit gjykues, i cili ishte i përqendruar në vendosjen e gjurit mbi qafë për rreth nëntë minuta e 29 sekonda në maj të vitit të kaluar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendimi i gjykatës e përçon porosinë që askush nuk është mbi ligjin dhe kërkoi veprime të reja për ta nderuar Floydin, përderisa vrasjen e cilësoi si njollë në shpirtin e kombit, shkruan Daily Mail.

Chauvin u largua nga salla e gjykatës me pranga në duar dhe u dërgua në “Oak Park Heights”, burgu i vetëm i sigurisë maksimale në Minnesota.

Asnjë i burgosur nuk ka arritur që të arratiset ndonjëherë në këtë burg, ku mbahen rreth 500 prej të burgosurve më të rrezikshëm.

Ish-polici po vëzhgohet nga afër nga rojat për ta garantuar sigurinë e tij, jo vetëm për shkak të rrezikut për vetëvrasje, por edhe nga të burgosurit tjerë me histori të dhunshme.

(Kosova Sot Online)