Tmerr, 22 pacientë vdesin nga mungesa e oksigjenit në spital

  • G.G /
  • 21 April 2021 - 12:43
Tmerr, 22 pacientë vdesin nga mungesa e oksigjenit në spital

Së paku 22 pacientë vdiqën të mërkurën në një spital publik në rajonin Maharashtra të Indisë, kur mbetën pa oksigjen pas një rrjedhjeje në bombol, tha një zyrtar qeveritar.

“Bombola e oksigjenit kishte rrjedhje gjatë rimbushjes dhe kjo e shkaktoi vdekjen e 22 pacientëve”, tha Suraj Mandhare, zyrtar i distriktit Nashik, për agjencinë Reuters, duke shtuar se në këtë spital po trajtohen pacientët me Covid-19.

Ndryshe, shteti me mbi 1 miliard banorë po përballet me përkeqësim të gjendjes me pandeminë. India regjistroi më shumë se 2.000 të vdekur nga Covid-19 gjatë 24 orëve të kaluara. Kjo është shifra më e lartë e shënuar në Indi që nga fillimi i pandemisë.

Përpos rekordit të viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistrua edhe numri më i lartë ditor i infektimeve të reja me mbi 295 mijë gjatë 24 orëve të fundit.

Spitalet në Indi kanë paralajmëruar për mungesën e oksigjenit, ndërsa autoritetet pritet që t’i përshpejtojnë procedurat për miratimin e vaksinave shtesë kundër pandemisë.

Disa rajone kanë paralajmëruar masa të rrepta të izolimit për shkak të shtimit të rasteve. Përkeqësimi i gjendjes erdhi pas mbajtjes së një festivali masiv, i cili besohet të ketë ndikuar në përhapjen e virusit.

(Kosova Sot Online)