Arben Vitia takohet me ambasadorin e Italisë në Kosovë, flasin për vaksinat

  • E.K /
  • 21 April 2021 - 14:53
 Arben Vitia takohet me ambasadorin e Italisë në Kosovë, flasin për vaksinat

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Në këtë takim është biseduar për pandeminë COVID-19, procesin e vaksinimit dhe mbështetjen që Kosovës i kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë në ballafaqimin me sfidën e pandemisë.

Në këtë drejtim, Ministri Vitia ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetje konkrete që i ka ofruar sistemit shëndetësor në Kosovë në luftimin e COVID-19 përmes fuqizimit të kapaciteteve diagnostikuese, por edhe ekspertizës profesionale.

Ministri Vitia dhe Ambasadori Orlando janë pajtuar për fuqizimin e projekteve të përbashkëta në shëndetësi dhe gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të masave kundër COVID-19 nga ana e të gjithëve në Kosovë si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës.

(Kosova Sot Online)