Rusia ngacmon ambasadorin amerikan: Shpresojmë ta përdorë mirë kohën në ShBA

  • G.G /
  • 22 April 2021 - 14:56
Rusia ngacmon ambasadorin amerikan: Shpresojmë ta përdorë mirë kohën në ShBA

Rusia tha të enjten se shpreson që ambasadori i ShBA-së, John Sullivan, do ta përdorë në mënyrë të dobishme kohën e tij në Uashington gjatë konsultimeve me anëtarët e administratës së presidentit Joe Biden.

Diplomati amerikan tha të martën se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara këtë javë për konsultime, disa ditë pasi Kremlini i sugjeroi Uashingtonit që ta ftonte ambasadorin pas krizës diplomatike mes dy shteteve. Agjencia TASS raportoi se Sullivan u largua nga Rusia të enjten.

Rusia e thirri për konsultime ambasadorin e vet në Uashington muajin e kaluar, pasi Joe Biden tha se mendon që homologu i tij, Vladimir Putin, është vrasës, dhe pasi dy vendet i vendosën sanksione njëra-tjetrës, përfshirë dëbimin e diplomatëve.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se ajo shpreson që udhëtimi i Sullivanit në Shtetet e Bashkuara të mos dëshmohet si humbje kohe, shkruan Reuters.

“Konsultimet me ambasadorin tonë janë duke u mbajtur aktivisht në Rusi. Ne shpresojmë që ambasadori amerikan do ta kalojë kohën e tij në mënyrë të dobishme në Uashington dhe se ai do të përqendrohet në konsultime me organet që i mbikëqyrin çështjet e marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë”, deklaroi Zakharova.

(Kosova Sot Online)