Rusia urdhëron tërheqjen e trupave nga zona kufitare me Ukrainën

  • G.G /
  • 22 prill 2021 - 15:26
Rusia urdhëron tërheqjen e trupave nga zona kufitare me Ukrainën

Pas disa javësh me tensione rreth grumbullimit të trupave ruse afër kufirit lindor të Ukrainës, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka dhënë urdhër për tërheqjen e disa njësive në atë zonë dhe kthimin e tyre në bazat e veta.

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se më shumë se mbi 100 mijë ushtarë rusë janë grumbulluar afër kufirit me Ukrainën dhe në Krime, gadishull të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, shkruan BBC.

Duke folur në Krime, Shoigu tha se njësitë e përfshira në ushtrimet ushtarake do të kthehen në bazë, duke shtuar se është arritur qëllimi i kontrolleve të shpejta.

“Trupat e kanë dëshmuar aftësinë e tyre për të ofruar mbrojtje kredibile ndaj vendit”, tha shefi rus i Mbrojtjes, duke shtuar se i ka udhëzuar komandantët e njësive 58 dhe 41 si dhe disa divizione tjera që të kthehen në bazat e tyre të përhershme të premten, ndërsa operacionin ta përfundojnë deri më 1 maj.

(Kosova Sot Online)