Pfizer-i gjen doza false në shtetin evropian, ishin ilaç për rrudha

  • A.P /
  • 22 April 2021 - 15:57
Pfizer-i gjen doza false në shtetin evropian, ishin ilaç për rrudha

Prodhuesi amerikan i ilaçeve dhe zhvilluesi i njërës prej vaksinave më të përdorura dhe më të besueshme për Covid-19, Pfizer, ka thënë se ka identifikuar versione false të vaksinës së tij në Poloni dhe në Meksikë.

Dozat u sekuestruan nga autoritetet e këtyre dy shteteve dhe përmes testeve u vërtetua se vaksinat ishin të falsifikuara, shkruan BBC.

Në Meksikë, dozat kishin edhe mbishkrime të rreme, ndërsa substanca e sekuestruar në Poloni besohet të ketë qenë ilaç kundër rrudhave, tha kompania tashmë e famshme amerikane.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se vaksinat false paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik global dhe ka bërë thirrje për identifikimin dhe largimin e tyre nga qarkullimi.

Sidoqoftë, ministri polak i Shëndetësisë theksoi se rreziku që dozat false të bëhen pjesë e qarkullimit zyrtar është praktikisht joekzistues.

Në Meksikë, rreth 80 persona morën doza të rreme të vaksinës së “Pfizer”-it, që duket se kanë qenë jo të dëmshme fizikisht, por as nuk kanë ofruar mbrojtje kundër koronavirusit.

Ndërkohë autoritetet polake thanë se asnjë person nuk është vaksinuar me dozat e rreme që janë konfiskuar nga banesa e një burri.

Lev Kubiak, shef për siguri globale në kompaninë “Pfizer”, tha se kërkesa e madhe për doza në botë dhe mungesa e dozave në shumë vende kanë ndikuar që të paraqiten edhe versione të falsifikuara.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së u tha medieve amerikane se është i vetëdijshëm për vaksinat false që janë gjetur në Meksikë dhe Poloni dhe se do t’u ofrojë përkrahje autoriteteve lokale sipas nevojës.

(Kosova Sot Online)