Kiçmari: Qëndrimi i ministrit të Jashtëm gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, është qëndrim i administratës së SHBA’së

  • A.P /
  • 22 April 2021 - 18:05
Kiçmari: Qëndrimi i ministrit të Jashtëm gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, është qëndrim i administratës së SHBA’së

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas gjatë takimit me presidentën e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në dialog njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë një elementet i zgjidhjes derisa palët duhet të jenë të gatshme për kompromise.

Deklaratat e ministrit Maas, Sabri Kiçmari, drejtor i Akademisë Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shprehet se janë qëndrim i administratës Biden.

Ai ka thënë këto qëndrime janë me vlerë për një dialog që pritet të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu është temë e rëndësishme. Kurti ka vënë në pah që për qeverinë e tij prioritet kryesor është luftimi i papunësisë, sistemi i drejtësisë dhe pandemia. Pa dilemë që dialogu është temë që e kërkojnë miqtë tanë. Edhe sot ministri i Jashtëm në takimin me presidenten e ka theksuar një gjë që e tha në mënyrë decidive. Ai tha se integriteti territorial i Kosovës nuk vihet në diskutim dhe tha se zgjidhja është njohja e ndërsjellë. Mendoj se këto dy mesazhe janë të akorduara me qëndrimet e administratës së re të SHBA’së. Këto qëndrime janë me vlerë në një dialog të ardhshëm që pritet të ndodh”, ka theksuar ai.

Kiçmari ka deklaruar se ideja e ndryshimit të kufijve ka përfunduar dhe nuk pret që ketë mbështetje.

Përndryshe, ai shtoi se Qeveria Kurti duhet të fokusohet në njohjet e reja.

(Kosova Sot Online)