Përmbytet anija, dyshohet për 120 imigrantë të vdekur afër Libisë

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 11:41
Përmbytet anija, dyshohet për 120 imigrantë të vdekur afër Libisë

Së paku 120 azilkërkues ka frikë se mund të kenë vdekur, pasi anija nga goma me të cilën po lundronin u përmbyt në mot me stuhi në ujërat e Libisë përderisa po përpiqeshin të arrinin në Evropë, thanë organizatat humanitare dhe agjencia e migracionit e OKB-së.

Dhjetëra trupa njerëzish u panë afër anijes së përmbytur të enjten. Një organizatë për shpëtimin e njerëzve në det tha se në anije ndodheshin rreth 130 persona, shkruan The Guardian.

Sipas raportimeve, një organizatë humanitare u njoftua të martën përmes linjës emergjente se tri anije janë në rrezik në ujërat ndërkombëtare afër Libisë. Valët e detit në atë zonë ishin deri në gjashtë metra të larta.

Anija e organizatës “SOS Mediterranee”, “Ocean Viking”, dhe disa anije tjera tregtare shkuan në zonën prej nga erdhi alarmi por nuk gjetën të mbijetuar, përpos së paku dhjetë trupave të pajetë.

Shërbimi i linjës emergjente pretendon se ishte në kontakt me anijen e rrezikuar për më shumë se dhjetë orë të mërkurën dhe vazhdimisht e ka publikuar vendndodhjen me GPS tek autoritetet libiane dhe evropiane.

Megjithatë, ky shërbim tha se të gjitha autoritetet evropiane e refuzuan përgjegjësinë për ta koordinuar operacionin e kërkimit dhe në vend të kësaj thanë se kompetente janë autoritetet libiane.

Megjithatë, edhe autoritetet e shtetit afrikan refuzuan që të nisin ose koordinojnë operacion shpëtimi, duke i lënë në mëshirën e fatit në det të trazuar për tërë natën 130 persona, tha shërbimi i linjës emergjente.

(Kosova Sot Online)