Mbrojtja e Pjetër Shalës kërkon t’i mësojë emrat e viktimave për të cilët akuzohet klienti i tij

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 12:18
Mbrojtja e Pjetër Shalës kërkon t’i mësojë emrat e viktimave për të cilët akuzohet klienti i tij

Mbrojtja e Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit që të tregojnë për emrat e viktimave për të cilët akuzohet klienti i tij.

Në seancën që po mbahet ndaj Shalës, mbrojtja thotë se klienti i tij duhet të dijë emrat e viktimave për të cilët akuzohet, në mënyrë që t’i ndihmojë për hetuesi.

“Duam që të kemi një procedurë të pakushtëzuar, Shala duhet t’i dijë emrat e viktimave për të cilët akuzohet. Këto të dhëna do të na ndihmojnë që të flasim për efektivitet të hetuesisë”, tha mbrojtja e Shalës, të njohur si ‘Komandant Ujku’.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.

Ndaj Shalës është konfirmuar një aktakuzë. Ai akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet ai pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që thuhet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

(Kosova Sot Online)