Ukraina do më shumë: S’mjafton tërheqja e trupave ruse

  • G.G /
  • 23 April 2021 - 13:14
Ukraina do më shumë: S’mjafton tërheqja e trupave ruse

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha të premten se tërheqja e forcave ushtarake ruse nga kufiri me Ukrainën mund t’i ulë tensionet, por vetëm ky hap nuk do ta ndalë eskalimin apo konfliktin në rajonin lindor të Donbasit.

Përmes një deklarate, Kuleba gjithashtu u bëri thirrje partnerëve perëndimorë që ta vazhdojnë vëzhgimin e gjendjes për së afërmi dhe të marrin masa efektive për ta parandaluar Rusinë.

Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të premten se e ka filluar kthimin e ushtarëve dhe njësive ushtarake nga Krime në bazat e tyre të përhershme pas një grumbullimi masiv afër kufirit me Ukrainën që shkaktoi shqetësim për luftë të mundshme.

“Nëse Rusia vërtet e tërheq nga kufiri me Ukrainën forcën e jashtëzakonshme ushtarake që e ka vendosur atje, kjo tashmë do t’i ulë tensionet, por ky hap nuk do t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve në përgjithësi”, tha kryediplomati ukrainas.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke pritur që të shohin se cilat veprime do të pasojnë pas njoftimit të Moskës për tërheqjen e trupave dhe se do të vazhdojnë që të vëzhgojnë për së afërmi.

Separatistët e përkrahur nga Rusia janë duke luftuar me forcat qeveritare ukrainase në lindje të Ukrainës që nga viti 2014. Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë në konflikt gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)