Indonezia gjen mbetje të nëndetëses së zhdukur

  • E.K /
  • 24 April 2021 - 11:44
 Indonezia gjen mbetje të nëndetëses së zhdukur

Mbetje që besohet të jenë nga nëndetësja e zhdukur indoneziane janë gjetur në ujë, tha komandanti i ushtrisë indoneziane, Yudo Margano, gjatë një konference për gazetarë të shtunën.

Gjashtë pjesë të mbetjeve që besohet të jenë të nëndetëses së zhdukur të mërkurën u paraqitën para gazetarëve, shkruan CNN.

Lajmi më i ri erdhi pas venitjes së shpresës për shpëtimin e 53 anëtarëve të ekuipazhit për shkak të harxhimit të rezervave të oksigjenit.

Qindra ushtarë po marrin pjesë në operacionin e kërkimit të nëndetëses së prodhimit gjerman të tipit “KRI Nanggala 402”. Autorietet thanë se nëndetësja kishte rezerva oksigjeni për tri ditë pas humbjes së fuqisë.

Në zonën ku mendohet se mund të jetë zhdukuar nëndetësja u dërguan anije dhe helikopterë. Përpjekjeve iu bashkua edhe një aeroplan i forcave amerikane, P-8 Poseidon, bashkë me 20 anije indoneziane, një luftanije australiane dhe katër aeroplanë indonezianë.

Ndihmë për operacionin e gjerë kanë premtuar edhe Singapori dhe Malajzia. Anijet e shpëtimit nga Singapori pritet të arrijnë të shtunën, ndërsa anijet e Malajzisë të dielën.

(Kosova Sot Online)