Bekë Berisha: Nëse tentohet implementimi i ‘non-paperit’ do të ketë tym në Kosovë e jashtë kufijve

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 11:52
 Bekë Berisha: Nëse tentohet implementimi i ‘non-paperit’ do të ketë tym në Kosovë e jashtë kufijve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka reaguar pas publikimit të  dokumentit nga mediumi i afërt me Qeverinë. Ai tha se ky dokument është i shkruar në frymën e dokumenteve të kapitullimit.

“Meqenëse që nga procesi i Vjenës e deri te marrëveshja e Shtatorit të kaluar në Washington të SHBA-ve ne si Kosovë nuk kemi arritur të imponojmë tezat tona në tavolinën e bisedimeve, është pala tjetër, ajo Serbe e cila gjithmonë po e ka përparësinë e hapit të parë, e si rezultat i kësaj dalin në publik edhe kësi lloj “jo-dokumentesh” si dhe disa harta të dyshimta të gjoja ndarjes, të cilat kanë për qëllim matjen e pulsit të palës Kosovare për procesin e bisedimeve që na pret në muajt në vijim. Koncept dokumenti apo “non paper” siç po e quajnë, është i shkruar në frymën e dokumenteve të kapitullimit, dokumente të cilat të dy shtetet e cekura si iniciues të këtij “non paper” janë mësuar t’ia imponojnë njëra tjetrës gjatë shekullit të shkuar”, ka shkruar ai në një postim në Facebook”.

Më tutje Berisha tha se nuk ka lideri në Kosovë e as parti politike që do ta nënshkruante dhe do te votonte për një marrëveshje siç është paraqitur në këtë dokument.

“Me bindje të thellë dëshiroj t’ju garantoj se nuk ka lider të Kosovës, parti politike, e as legjislaturë të Kuvendit të Kosovës që do të nënshkruante apo votonte një marrëveshje si kjo e parashtruar në këtë “non paper” apo ndonjë element të përmendur në të. Nëse dikush ka akoma iluzione se një gjë e tillë mund të realizohet, atëherë tymi  i gazit lotsjellës që keni parë para disa vitesh në Parlamentin e Kosovës, nuk do të jetë më tym i lotsjellësit, dhe nuk do të mbetet më në Parlament, e besa as brenda kufijve të Kosovës!”, ka shkruar më tutje Berisha.

Postimi i plotë:

Non paper shqip

Me kujdes e lexova dhe ri-lexova një “koncept dokument” apo “non paper” siç po e quajnë, e që dje u publikua nga një media e Kosovës. Duke marrë parasysh se për nga definicioni këso lloj konceptesh janë jo-formale, ashtu edhe unë në mënyre jo-formale me një non-status dëshiroj ti them dy fjalë për të!

Meqenëse që nga procesi i Vjenës e deri te marrëveshja e Shtatorit të kaluar në Washington të SHBA-ve ne si Kosovë nuk kemi arritur të imponojmë tezat tona në tavolinën e bisedimeve, është pala tjetër, ajo Serbe e cila gjithmonë po e ka përparësinë e hapit të parë, e si rezultat i kësaj dalin në publik edhe kësi lloj “jo-dokumentesh” si dhe disa harta të dyshimta të gjoja ndarjes, të cilat kanë për qëllim matjen e pulsit të palës Kosovare për procesin e bisedimeve që na pret në muajt në vijim.

Koncept dokumenti apo “non paper” siç po e quajnë, është i shkruar në frymën e dokumenteve të kapitullimit, dokumente të cilat të dy shtetet e cekura si iniciues të këtij “non paper” janë mësuar t’ia imponojnë njëra tjetrës gjatë shekullit të shkuar.

Në këtë “jo-dokument” mungonte vetëm edhe përshkrimi i momentit dhe vendit se ku do të nënshkruhet ky kapitullim, por duke e njohur historinë, me siguri nënshkrimi parashihet të ndodh në një vagon treni diku në Beograd!

Për të gjitha shërbimet diplomatike të cilat do ta lexojnë këtë jo-status, dëshiroj t’ju përkujtoj se Kosova as nuk e ka humbur Luftën e Parë Botërore, e as Luftën e Dytë, për më tepër, Kosova dhe qytetarët e saj për vite të tëra kanë vuajtur nga aparteidi i regjimeve të Pashiqit, Rakoviqit e Millosheviqit për ti përmendur disa si dhe u kanë mbijetuar dy gjenocideve atij të vitit 1945 dhe të viteve 1998-99.

Me bindje të thellë dëshiroj t’ju garantoj se nuk ka lider të Kosovës, parti politike, e as legjislaturë të Kuvendit të Kosovës që do të nënshkruante apo votonte një marrëveshje si kjo e parashtruar në këtë “non paper” apo ndonjë element të përmendur në të.

Nëse dikush ka akoma iluzione se një gjë e tillë mund të realizohet, atëherë tymi  i gazit lotsjellës që keni parë para disa vitesh në Parlamentin e Kosovës, nuk do të jetë më tym i lotsjellësit, dhe nuk do të mbetet më në Parlament, e besa as brenda kufijve të Kosovës!

https://www.facebook.com/beke.berisha.7/posts/6114626988563148

(Kosova Sot Online)