Anija iraniane ua pret udhën rrezikshëm anijeve amerikane në Gjirin Persik

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 12:28
 Anija iraniane ua pret udhën rrezikshëm anijeve amerikane në Gjirin Persik

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se barkat e Rojave Revolucionare të Iranit kanë penguar dy anije të Rojës Bregdetare Amerikane në Gjirin Persik në fillim të këtij muaji, duke e cilësuar si incidentin e parë të këtij lloji në vitin 2021.

Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara thanë të martën se afrimi i tensionuar i anijeve ndodhi më 2 prill dhe nuk rezultoi në persona të lënduar apo dëme materiale, shkruan Free Europe.

Autoritetet iraniane nuk e pranuan menjëherë incidentin që ndodhi në kohën kur Uashingtoni dhe Teherani njoftuan se do të zhvillojnë negociata indirekte me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Zyrtarët e Forcave Detare të ShBA-së thanë se tri anije iraniane për sulm të shpejtë dhe një anije mbështetëse e njohur si “Harth 55” iu afruan dy anijeve të Rojës Bregdetare amerikane përderisa këto të fundit ishin duke patrulluar në ujërat ndërkombëtare të Gjirit Persik.

Anija iraniane “Harth 55” në mënyrë të përsëritur ua preu udhën anijeve “USCGC Monogomy” dhe “USCGC Wrangell”, duke i detyruar ato që të bëjnë manovra mbrojtëse për ta shmangur përplasjen, thanë zyrtarët amerikanë.

Sipas zyrtarëve, afrimi i anijeve iraniane është incidenti i parë i pasigurt dhe joprofesional ku u përfshinë luftanijet iraniane që nga 15 prilli i vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)