Dokumenti jozyrtar për marrëveshjen Kosovë-Serbi, reagon ambasadori sllovak në Bosnje

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 13:24
 Dokumenti jozyrtar për marrëveshjen Kosovë-Serbi, reagon ambasadori sllovak në Bosnje

Ambasadori i Sllovakisë në Bosnje e Hercegovinë, Martin Kaço e ka komentuar reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, lidhur me një “non-paper” që është publikuar, e që flet për pikat e që duhet t’i përmbajë marrëveshja përfundimtare që do të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kaço tha se “non-papers” po vazhdojnë t’i shkaktojnë dëme imazhit të Bashkimit Evropian.

“(Gënjeshtër & e vërtetë) Lufta e Non-Papers vazhdon… duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në imazhin kolektiv të BE-së, dhe kështu levave. Cui bono?”, shkroi ai.

Disa përkufizime për procesin që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, janë përmbledhur në një “non-paper” që është publikuar dje. Letra thuhej se ishte nismë gjermano-franceze, gjë të cilën e mohoi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, sic e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, shkroi Rohde në Twitter.

Kjo letër, që është dërguar në adresë të medias ndër tjerash përmend njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se të dy shtetet duhet të pajtohen që të themelohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse.

(Kosova Sot Online)