Boris Johnsonit i gjuhen për rinovimin e banesës: Ku i more 200.000 funte

  • E.K /
  • 28 April 2021 - 11:19
Boris Johnsonit i gjuhen për rinovimin e banesës: Ku i more 200.000 funte

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është duke u përballur me rritje të trysninë për të sqaruar se kush ia ka financuar rinovimin e banesës në “Downing Street”, pasi ish-kryekëshilltari i tij sugjeroi se shefi i qeverisë mund t’i ketë shkelur rregullat rreth donacioneve politike.

Tetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Angli dhe zgjedhjes së asambleve rajonale në Uells dhe Skoci, Johnson është duke u përballur me një varg kritikash, përfshirë ato rreth menaxhimit të situatës me pandeminë në fazën e parë të saj dhe rrjedhjes së të dhënave nga zyra e tij.

E pyetur muajin e kaluar rreth rinovimit, zëdhënësja e kryeministrit Johnson tha se të gjitha donacionet, dhuratat dhe përfitimet janë deklaruar në mënyrën e duhur dhe se nuk janë përdorur mjete financiare të Partisë Konservatore për ta paguar rinovimin e banesës.

Kryeministri britanik ka të drejtë që të shpenzojë 30 mijë funte të taksapaguesve në vit për mirëmbajtjen dhe furnizimin e banesës së tij zyrtare, por çdo shpenzim mbi këtë shifër duhet të mbulohet nga buxheti personal i shefit të qeverisë, shkruan Reuters.

Ministrat kanë thënë se kryeministri e ka paguar vetë rinovimin, por nuk është e qartë se kur ka paguar dhe nëse rinovimi, për të cilin raportohet se ka kushtuar 200 mijë funte, është financuar fillimisht përmes ndonjë huaje. Sipas rregullave për financim politik, Johnson është dashur që ta deklarojë këtë.

Partia Laburiste në opozitë ka kërkuar sqarim për këtë çështje. Nënkryetarja e saj, Angela Rayner, i shkroi shefit të Shërbimit Civil, Simon Case, duke i kërkuar hetim të përgjigjeve të dhëna nga ish-sekretarja për medie.

Dominic Cummings, ish-këshilltar kyç i kryeministrit Johnson që e ndihmoi atë për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2019, tha të premten se shefi i qeverisë ka dashur që donatorët ta paguajnë rinovimin e banesës së tij në mënyrë të fshehtë.

(Kosova Sot Online)