Kundërshtarët e martesave LGBT detyrojnë Zvicrën që të organizojë referendum

  • E.K /
  • 28 April 2021 - 11:59
 Kundërshtarët e martesave LGBT detyrojnë Zvicrën që të organizojë referendum

Zviceranët do ta japin mendimin e tyre për lejimin apo moslejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë, pasi kundërshtarët grumbulluan përkrahje të mjaftueshme për ta detyruar shtetin që të organizojë referendum rreth ligjit të vitit 2020 për lejimin e martesave LGBT.

Ligji i miratuar vitin e kaluar gjithashtu u mundësonte personave transgjinorë që ta ndryshojnë gjininë e tyre ligjore përmes një deklarate. Miratimi i këtij ligji paraqiti ndryshim të madh në shtetin që ka mbetur prapa në këtë aspekt në krahasim me pjesët tjera të Evropës Perëndimore, shkruan Reuters.

Qeveria zvicerane konfirmoi se kundërshtarët e ligjit kanë siguruar përkrahje të mjaftueshme për të organizuar referendum sipas sistemit kombëtar të demokracisë së drejtpërdrejtë. Në maj pritet të caktohet data e referendumit, por ai nuk mund të mbahet para shtatorit, tha një zëdhënës qeveritar.

Kundërshtarët thonë se martesat mes personave të gjinisë së njëjtë janë të rreme dhe se vetëm një burrë e një grua mund të martohen mes vete.

Sidoqoftë, sipas një ankete të një grupi për të drejtat e komunitetit LGBT që u zhvillua vitin e kaluar, mbi 80 për qind e zviceranëve i përkrahin martesat mes gjinive të njëjta, duke lënë të kuptohet se ligji do të mbetet në fuqi edhe pas referendumit.

(Kosova Sot Online)