“Non-paper”, Petkoviq i kundërpërgjigjet Osmanit dhe ka një mesazh për Kurtin

  • G.G /
  • 28 April 2021 - 12:08
“Non-paper”, Petkoviq i kundërpërgjigjet Osmanit dhe ka një mesazh për Kurtin

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sot se nga Prishtina po përpiqen t’ia atribuojnë “non-paper“-in e fundit Beogradit zyrtar. Ai tha gjithashtu se kjo është “vetëm një përpjekje perfide për të mbuluar autorin e saj të vërtetë”.

Në një njoftim për shtyp, Petkoviq deklaroi se një dokument i tillë nuk u paraqit në asnjë nga mediat e Beogradit, por në mediat e Prishtinës, një ditë pasi u njoftua se kur do të vazhdonte dialogu.

“Kjo është arsyeja pse do të ishte më mirë që Prishtina të përgatitej mirë për dialogun dhe Albina Kurti të drejtojë bisedimet e sotme në Bruksel në frymën e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, sesa të harxhojë energji në lajme të rreme”, tha Petkoviq.

Sipas tij, Beogradi mbetet i vendosur në pozicionin se negociatat dhe dialogu janë mënyra e vetme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme.

“Dhe kjo nuk mund të arrihet nga asnjë dokument sekret ose lista të dëshirave të dikujt. Ashtu si askush nuk mund ta detyrojë presidentin Aleksandar Vuçiq ta njohë të ashtuquajturën Kosovë përmes presionit dhe shantazhit”, përfundoi Petkoviq.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konsideruar mbrëmë se “non-paper”-i i cili parasheh që veriu i Mitrovicës të jetë pjesë autonome e Serbisë dhe komunave me shumicë serbe t’u jepen kompetenca ekzekutive, e ka autorin në Serbi.

(Kosova Sot Online)