Çmimet marramendëse të oksigjenit dhe ilaçeve për Covid-19 në tregun e zi të Indisë

  • G.G /
  • 28 April 2021 - 12:22
Çmimet marramendëse të oksigjenit dhe ilaçeve për Covid-19 në tregun e zi të Indisë

Pas mbushjes së spitaleve me pacientë në New Delhi dhe shumë qytete tjera indiane, familjarët e personave të infektuar me koronavirus po detyrohen që të gjejnë mënyra për t’i trajtuar të sëmurët në shtëpi.

Prandaj, shumë indianë po kërkojnë zgjidhje në tregun e zi, ku çmimet e ilaçeve të rëndësishme që përdoren kundër Covid-19, si Remdesiviri dhe Tocilizumabi, si dhe çmimi i bombolave të oksigjenit kanë arritur në qiell. Megjithatë, as me çmime të larta, furnizimi nuk është i garantuar.

Transmetuesi publik britanik, BBC,  i ka publikuar disa nga çmimet e bombolave të oksigjenit dhe ilaçeve që përdoren për trajtimin e sëmundjes Covid-19 në tregun e zi.

Përderisa çmimi zakonshëm i një bombole oksigjeni me 50 litra është 80 dollarë, çmimi në tregun e zi sillet nga 660 deri në 1.330 dollarë. Çmimi i përqendruesit të oksigjenit në tregun normal është nga 330 deri në 930 dollarë, por çmimi i tij në tregun e zi është nga 2.000 deri në 2.660 dollarë.

Një pako prej 100 miligramësh e ilaçit Remdesivir në tregun e zakonshëm kushton nga 12 deri në 53 dollarë, ndërsa në tregun e zi nga 330 deri në 1.000 dollarë.

(Kosova Sot Online)