Policia alarmohet për granatë dore, doli të jetë lodër për të rritur

  • E.K /
  • 28 April 2021 - 15:12
 Policia alarmohet për granatë dore, doli të jetë lodër për të rritur

Një ekip i specializuar i policisë gjermane për deminim u angazhua për ta bërë punën e vet, pasi u njoftuan për gjetjen e një mjeti shpërthyes që dukej si granatë. Megjithatë, puna e policisë deminuese në këtë rast doli të mos jetë aq serioze dhe e rrezikshme si në rastet e tjera. Ata gjetën një lodër për të rritur që kishte formën e granatës së dorës.

Autoritetet thanë të martën se një grua ka raportuar se ka gjetur një çantë të tejdukshme me një mjet të dyshimtë një ditë më parë, përderisa po vraponte në një mal afër qytetit bavarez, Passau, afër kufirit me Austrinë dhe Republikën Çeke.

Kur ekipi i policisë për deminim arriti në vendin e ngjarjes dhe i kontrolloi nga afër gjësendet që ndodheshin në çantë, oficerët gjetën një lodër nga goma që dukej si granatë, shkruan Daily Mail.

Në çantë gjithashtu kishte edhe mjete kontraceptive, të cilat i ndihmuan policisë për ta zbuluar qëllimin e përdorimit të objektit që e kishte formën e granatës, raportoi agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

“Një kërkim në internet i vërtetoi dyshimet. Në të vërtetë, ka lodra në formën e granatave të dorës”, tha policia. Një zëdhënëse e forcave të sigurisë shtoi se dyshohet që dikush ka dashur që t’i hedhë në natyrë këto gjësende e jo t’i vendosë në shportën e mbeturinave.

Rastet e mjeteve të dyshimta trajtohen me seriozitet në Gjermani, sepse në këtë shtet ende gjenden municione të fshehura apo të harruara nga Lufta e Dytë Botërore.

Javën e kaluar, disa punëtorë të ndërtimtarisë në qytetin jugor gjerman, Mannheim, gjetën një bombë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore që peshonte 500 kilogramë.

(Kosova Sot Online)