ORCA: UP për herë të parë del pozitivisht në integritet akademik

  • E.K /
  • 30 April 2021 - 14:07
 ORCA: UP për herë të parë del pozitivisht në integritet akademik

45% e profesorëve në Universitet të Prishtinës, nuk i justifikojnë titujt akademikë sipas kriterit të punimeve shkencore. Ky është rezultati i hulumtimit 1 vjeçar nga ORCA i cili paraqet të dhënat e mbledhura për punimet e profesorëve deri më 31 dhjetor 2020.

ORCA ka hulumtuar justifikimin e titujve në këtë universitet për katër vite, dhe për herë të parë në këtë universitet ka më shumë profesorë që justifikojnë titujt sesa profesorë që nuk i justifikojnë ata.

Në vitin 2017, 72% e profesorëve të UP-së nuk i justifikonin titujt e tyre akademikë, në vitin 2018 59%, ndërkaq në vitin 2019, 55% e profesorëve të UP-së nuk i justifikonin titujt e tyre akademikë. Pra, në vitin 2020 shënohet viti i parë kur përqindja e atyre që justifikojnë titujt (55%) përmbys përqindjen e atyre që nuk i justifikojnë titujt (45%). Borxhi i profesorëve të UP-së të cilët nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë shkon në 563 punime në total, të cilat do të duheshin që të arrihet justifikimi i plotë i titujve akademikë.

Me gjithë këtë përparim, shqetësues mbetet fakti që 29% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent.

Profesorët e këtij universiteti kanë botuar 2564 punime nga viti 1988 deri në 2020. Nga viti 2017 deri në vitin 2020 janë publikuar 37% e të gjitha punimeve çka korrespodon edhe me periudhën kur ka filluar të monitorohet ky universitet.

Gratë në Universitetin e Prishtinës dalin të jenë më të përgjegjshme dhe më profesionale duke pasur parasysh që 67% e tyre i justifikojnë titujt e tyre akademikë në krahasim me 51% të burrave të cilët i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Po ashtu kur vjen puna te integriteti akademik, gratë prijnë pasi nga numri total i profesorëve që kanë publikuar në revista të dyshimta vetëm 29% e tyre janë gra, ndërkaq 71% janë burra.

Pjesëmarrës në ngjarjen e publikimit ishin edhe prorektorët e UP-së, Mimoza Ibrani dhe Kurtesh Sherifi të cilët theksuan progresin e arritur dhe përkushtimin e tyre për avancimin e mëtejmë të Universitetit përmes rritjes së rigorozitetit të rregulloreve, si dhe themelimit të fondit për shkencë prej 1% të buxhetit të UP-së.

(Kosova Sot Online)