Ambasadorja holandeze, e gatshme t’i dalë në ndihmë Haxhiut për procesin e vettingut

  • E.K /
  • 30 April 2021 - 15:38
 Ambasadorja holandeze, e gatshme t’i dalë në ndihmë Haxhiut për procesin e vettingut

Gjatë ditës së sotme ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka pritur në takim ambasadoren e Holandës, Carin Lobbezoo.

Gjatë këtij takimi Haxhiu e falënderoi ambasadoren holandeze për ndihmën ndaj Kosovës dhe e njoftoi rreth prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë, ku procesi i vettingut u cilësua si një ndër hapat më të rëndësishëm në reformimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa ambasadorja u zotua për të ofruar ndihmë në ekspertizë.

Gjithashtu në këtë takim u adresua edhe nevoja për veprime institucionale kundrejt dhunës në familje.

“Një reformim i thellë në drejtësi do të nënkuptonte që të trajtohen edhe çështjet e dhunës në familje me një seriozitet të shtuar, qasje kjo që do të zvogëlonte këtë fenomen shqetësues në shoqërinë tonë. Për këtë u shpreh bindje e plotë që duhet të ketë seriozitet nga policia, prokurorët e deri te gjyqtarët për ta fuqizuar ligjin dhe zbatimin e tij. Për Rishikimin Funksional, ministrja Haxhiu njoftoi që do të takohen me Këshillin Gjyqësor dhe me Këshillin Prokurorial, si dhe me Akademinë e Drejtësisë, për të siguruar që janë të informuar dhe për t’u pajtuar me ndryshimet që do të vijnë pas komenteve, të cilat do të adresohen”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim ambasadorja holandeze u njoftua më shumë edhe rreth votimit të draft-konceptit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Vëmendje e veçantë në këtë takim iu kushtua temës së themelimit të institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si nevojë e domosdoshme që Republika e Kosovës ta ketë një institucion të tillë, ku adresohen krimet e kryera gjatë luftës së fundit, ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada prej përfundimit të saj. Në këtë takim ministrja po ashtu theksoi se me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit adresoi nevojën e nisjen së negociatave për lidhjen e marrëveshjeve për ndihmë juridike të ndërsjellët në çështje penale, për ekstradim dhe atë për zbatimin e ndërsjellë të aktgjykimeve në çështjet penale, si dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në Konventën e Hagës”, thuhet në njoftimin për media.

Në fund të takimit të dyja palët u shprehën të gatshme të takohen që temat e diskutuara të marrin formën dhe drejtimin më të mirë të mundshëm, në realizim të aspiratave të Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)