Haxhiu: S’kemi pasur kërkesa për garanci për lirimin e të akuzuarve të Speciales

  • E.K /
  • 05 May 2021 - 12:16
 Haxhiu: S’kemi pasur kërkesa për garanci për lirimin e të akuzuarve të Speciales

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se deri tani Gjykata Speciale dhe avokatët e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim nuk kanë kërkuar garanci për lirimin e tyre me kusht.

Ajo tha se kjo çështje do të diskutohet në me kryeministrin, ndërsa tha se kjo nuk është çështje juridike.

“Unë kam parë debatin që është zhvilluar dhe padyshim që ne si qeveri e Kosovës do ta diskutojmë me kryeministrin apo të tjerët dhe deri tani nuk kemi pasur asnjë kërkesë nga mbrojtja e personave që akuzohen dhe po ashtu e dini qëndrimin që kemi pasur ne si opozitë në raport me Gjykatën Speciale kundrejt një padrejtësi të madhe që iu është bërë Kosovës. Nuk është çështje juridike dhe nuk është juridikisht e rregulluar”, tha Haxhiu.

Qeveria dhe Presidenca nuk kanë dhënë përgjigje nëse do të angazhohen konkretisht që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të kthehen në shtëpi për t’u mbrojtur në liri.

Dikush duhet të garantojë nëse do që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të kthehen në shtëpi dhe të mbrohen në liri. Për këtë çështje, media ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit dhe në Presidencë, por asnjëra nga dy institucionet më të larta të vendit nuk ka kthyer përgjigje.

Në ditën e fundit të muajit që sapo shkoi, Gjykata e Apelit brenda Gjykatës Speciale i hodhi poshtë kërkesat për lirimin e përkohshëm të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Sidoqoftë, sipas një gjykatësi të Speciales, ata mund të lirohen, nëse mundësohet që të garantohet lirimi i tyre me kusht nga ndonjë vend i tretë. Ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha pretendon se garancitë tashmë janë ofruar nga Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Izraeli.

(Kosova Sot Online)