Emiratet e Bashkuara Arabe i ofrojnë Kosovës mbështetje në integrimin në organizata ndërkombëtare

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 12:19
 Emiratet e Bashkuara Arabe i ofrojnë Kosovës mbështetje në integrimin në organizata ndërkombëtare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Alshamsi.

Ambasadorja theksoi mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për zhvillim ekonomik dhe integrimin në organizata ndërkombëtare. Ambasadorja shprehu vullnetin e EBA-së për të qenë pionier për investime në Kosovë, me fokus në industrinë ushqimore dhe turizmin malor.

Kryeministri Kurti vlerësoi përkrahjen e Emirateve të Bashkuara Arabe për Kosovën, si një ndër vendet e para arabe që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai e falënderoi ambasadoren për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, veçanërisht për investimet e kaluara dhe ato të ardhshme për spitalet.

Në takim u vlerësuan raportet e mira mes dy vendeve dhe u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë, në veçanti promovimin e investimeve të reja nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës. Kryeministri dhe ambasadorja u pajtuan për organizimin e një konference të përbashkët për tërheqje të investimeve.

(Kosova Sot Online)