Kryeministri Kurti takon ministrin e jashtëm kroat, flasin për 10 mijë vaksinat që do t’i dhurohen Kosovës

  • G.G /
  • 06 May 2021 - 12:40
Kryeministri Kurti takon ministrin e jashtëm kroat, flasin për 10 mijë vaksinat që do t’i dhurohen Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Ministri Radman e uroi kryeministrin Kurti për fitoren dhe zgjedhjen kryeministër i Kosovës dhe bashkë me përgëzimet më të sinqerta, ia përcolli edhe lajmin e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid që Kroacia e ka ndarë për Kosovën.

Duke spikatur raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, ministri Radman siguroi kryeministrin Kurti se Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë dhe ta ndihmojë Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Ai kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Radman dhe Kroacinë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës.

Ai shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për donacionin prej 10 mijë vaksinash, duke e vlerësuar si lajm që sjellë optimizëm e shpresë për intensifikimin e vaksinimit, para muajve të verës, kur mërgata kthehet për pushime në Kosovë.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për pozitën e pakicës kroate në Kosovë dhe për mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në fushën e ekonomisë.

(Kosova Sot Online)