Polonia e Hungaria detyrojnë BE-në ta heqë frazën “barazi gjinore” nga deklarata

  • G.G /
  • 07 May 2021 - 12:47
Polonia e Hungaria detyrojnë BE-në ta heqë frazën “barazi gjinore” nga deklarata

Lobimi nga Polonia dhe Hungaria ka çuar në largimin e frazës “barazi gjinore” nga një draft-deklaratë për avancimin e bashkërendimit social që BE-ja pritet ta publikojë të premten. Një gjë e tillë thuhet nga diplomatët dhe në dokumentet që i ka parë agjencia “Reuters”.

Partia “Ligj dhe Drejtësi”, që është në pushtet në Poloni, dhe aleati i saj euroskeptik, kryeministri hungarez, Viktor Orban, në vendet e tyre i promovojnë ato që i quajnë vlera tradicionale sociale dhe vazhdimisht janë përplasur me homologët e tyre më liberal perëndimorë për të drejtat e grave, imigrantëve dhe homoseksualëve.

Këto dy shtete të Bashkimit Evropian e kundërshtuan përmendjen e drejtpërdrejtë të frazës “barazi gjinore” në draftin e përgatitur për diskutim nga udhëheqësit kombëtarë të bllokut me 27 shtete anëtare, të cilët do të zhvillojnë takime në Porto të Portugalisë të premten dhe të shtunën.

Përderisa në draftin e mëparshëm thuhej se BE-ja do ta promovojë barazinë gjinore, në versionin e ri, që e ka parë agjencia “Reuters” e që mund të ndryshohet përsëri, kjo fazë shmanget dhe në vend të saj shkruhet: “Ne do t’i shtojmë përpjekjet për ta luftuar diskriminimin dhe do të punojmë në mënyrë aktive për t’i mbyllur boshllëqet gjinore dhe për ta promovuar barazinë.”

Diplomatët e Bashkimit Evropian thanë se ndryshimin e kësaj pjese e kërkuan Varshava dhe Budapesti. Qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë janë munduar që të promovojnë vlera sociale konservatore dhe katolike në fushata dhe e kanë shtuar kontrollin shtetëror mbi medie, gjykata dhe figura akademike.

(Kosova Sot Online)