Ky burrë mund të burgoset, bën vizatime të turpshme në rrugët e dëmtuara

  • 08 maj 2021 - 15:39
Ky burrë mund të burgoset, bën vizatime të turpshme në rrugët e dëmtuara

Autoritetet në Auckland të Zelandës së Re janë zotuar se do të marrin masa ligjore kundër një personi të quajtur Geoff Upson, i vetëshpallur aktivist për siguri rrugore, duke thënë se s’do ta tolerojnë vandalizmin.

Upson mori një telefonatë nga policia javën e kaluar, pasi një qytetar u ankua për vizatimin më të ri në rrugë në formën e organit gjenital mashkullor. Pasi e pranoi se vetë është përgjegjës për viztimin, policia i tha se do të flasë me autoritetet e transportit dhe do të kontaktojë prapë me të.

Ky person ka përdorur ngjyrë të gjelbër për të bërë vizatime në pjesët e dëmtuara të rrugëve në Auckland që nga viti 2018 dhe vlerëson se deri më tani ka bërë mbi 100 të tilla. Ai thotë se shumicën e kohës formon rrathë, ndërsa vizatimin “e veçantë” e bën vetëm në vendet e dëmtuara që kanë sipërfaqe më të madhe.

Thotë se për herë të parë kur e bëri veprimin, reagoi për shkak të frustrimit që e ndiente. Upson shton se ka dorëzuar rreth 20 ankesa për një gropë të madhe e të rrezikshme, por nuk kishte marrë përgjigje, shkruan Independent.

Zëdhënësja e autoriteteve të transportit në Auckland tha se rruga ku ishin vendosur vizatime është caktuar për t’u riparuar dhe se secili vizatim do të raportohet në polici. Për më tepër, sipas saj, kostoja për largimin e vizatimeve do t’i ngarkohet personit përgjegjës për vizatimin e tyre.

(Kosova Sot Online)