62 mijë e 400 doza të vaksinës së AstraZenecas bëhen gati për Kosovën

  • E.K /
  • 10 May 2021 - 11:22
 62 mijë e 400 doza të vaksinës së AstraZenecas bëhen gati për Kosovën

Kosova pritet që së shpejti të furnizohet edhe me 62 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca nga COVAX.

Ndonëse furnizimi ende nuk është nisur për në vend, nga UNICEF kanë bërë të ditur se janë bërë gati 62 mijë e 400 doza të vaksinës për Kosovën.

Ndërsa, 201 mijë e 420 doza të vaksinës janë alokuar nga COVAX për Kosovën.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione se kur do të furnizohet Kosova me këto 62 mijë e 400 vaksina, megjithëse pasi  ato janë bërë gati, furnizimi mund të ndodh këtë javë.

Me mbi 62 mijë vaksinat që do të vinë nga COVAX pritet të vaksinohen personat e përfshirë në fazën e parë të vaksinimit, të cilët nuk kanë arritur ta marrin vaksinën deri tani, për shkak të sasisë së vogël.

Në fazën e dytë, sipas Planit të Imunizimit,  grupi i synuar për marrjen e vaksinës kundër COVID-19 do të përbëjë 17% të popullsisë së përgjithshme dhe do t’i përfshijë grupmoshat 65-79, popullësinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Kujtojmë që Kosova deri tani është furnizuar me 24 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas nga COVAX dhe 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer nga BE.

Kosova vazhdon të qëndroj edhe më tej larg shteteve tjera sa i përket furnizimit me vaksina dhe vaksinimit të popullsisë.

(Kosova Sot Online)