Në ShBA kërcasin grushtet e karriget mes pro-izraelitëve e pro-palestinezëve

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 10:35
Në ShBA kërcasin grushtet e karriget mes pro-izraelitëve e pro-palestinezëve

Përkrahësit e Izraelit në njërën anë dhe përkrahësit e Palestinës në anën tjetër u përleshën mes vete të martën në mbrëmje në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara rreth konfliktit që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.

Në fotografitë e publikuara nga zona para konsullatës së Izraelit në Manhattan shihen protestues që luftojnë mes vete, ndërsa policia mundohet t’i mbajë të dy grupet larg njëra-tjetrës.

Punëtorët e konsullatës u dërguan më herët në shtëpi për shkak të frikës nga mungesa e sigurisë.

Në një video shihet se mes protestuesve pati edhe përleshje fizike në Nju Jork, ku u shkëmbyen edhe grushte. Një burrë u fotografua i gjakosur pasi u godit me karrige.

Protesta pati edhe në Uashington e Los Angeles. Pritet që tubime të ngjashme të ketë në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara edhe të mërkurën, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Aktivistët me flamuj e pankarta në përkrahje të Palestinës e Izraelit i vërshuan rrugët të martën. Tensionet u rritën kur dy grupet u takuan me njëra-tjetrën.

Shtëpia e Bardhë tha të martën se Izraeli ka të drejtë legjitime për ta mbrojtur veten nga sulmet me raketa, por gjithashtu ushtroi trysni ndaj këtij shteti, duke thënë se Jerusalemi duhet të jetë vend i bashkëjetesës.

https://videos.dailymail.co.uk/video/mol/2021/05/12/1669948525608520882/640x360_MP4_1669948525608520882.mp4

(Kosova Sot Online)