Zgjedhet kryetarja e trupit gjykues në rastin e Salih Mustafës në Hagë

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 11:21
Zgjedhet kryetarja e trupit gjykues në rastin e Salih Mustafës në Hagë

Përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara në Hagë, është bërë e ditur se kryetare e trupit gjykues në rastin e Salih Mustafës është zgjedhur gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia.Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja.

 “Gjykatësit e Trupit Gjykues I, me anë të kësaj: NJOFTOJNË se kanë zgjedhur në mënyrë unanime gjyqtaren Mappie Veldt-Foglia si Kryetare të Trupit Gjykues I për çështjen e Prokurorit k. Salih Mustafa”, thuhet në këtë shkresë.

Ndryshe, përmes një komunikate për media të 6 majit, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se kryetarja e kësaj gjykate ka caktuar trupin gjykues në rastin e Salih Mustafës.

“Më 5 maj 2021, Kryetare Ekaterina Trendafilova caktoi gjykatësit Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (rezervë) në Trupin Gjykues I. Ky caktim u bë pas njoftimit prej Gjykatësit të Procedurës Paraprake se dosja e plotë e çështjes Prokurori i Specializuar k. Salih Mustafës (KSC-BC-2020-05) do të jetë gati për t‘iu kaluar Trupit Gjykues më 7 maj 2021”, thuhej në komunikatë.

Sipas komunikatës, në pajtim me rregullën 116 dhe rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pas marrjes së dosjes së çështjes, Trupi Gjykues mban pa vonesë një konferencë përgatitore për gjykimin me palët, pas së cilës përcakton afatin për mocionet që mund të dorëzohen prej tyre para nisjes së gjykimit.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, në të cilën ditë edhe është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

(Kosova Sot Online)