MPJ izraelite: Khalili dhe vajza e tij 16 vjeçe u vranë nga raketa e Hamasit që ua goditi shtëpinë

  • G.G /
  • 12 May 2021 - 11:31
MPJ izraelite: Khalili dhe vajza e tij 16 vjeçe u vranë nga raketa e Hamasit që ua goditi shtëpinë

Ministria e Jashtme e Izraelit, përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, ka shkruar se një burrë arabo-izraelit dhe vajza e tij 16-vjeçare janë vrarë nga një raketë e hedhur nga Hamasi.

“Khalil (52 vjeç) dhe Nadin (16 vjeçe) Awad, babë e bijë izraelito-arabe nga zona Lod u vranë mbrëmë, kur një raketë e hedhur nga Gaza e goditi shtëpinë e tyre”, thuhet në postimin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

“Terrori i Hamasit i vë në shënjestër izraelitët e të gjitha besimeve. Izraeli kurrë nuk do ta tolerojë shënjestrimin e asnjë qytetari të vet”, thuhet më tej në postim.

Postimit i është bashkëngjitur edhe një video, në të cilën shihen dy makina të djegura dhe një shtëpi me xhama të thyer.

Ndryshe, në territorin e Izraelit deri më tani janë konfirmuar pesë viktima nga luftimet, ndërsa 35 viktima janë shënuar në anën palestineze.

(Kosova Sot Online)