Lumir Abdixhiku uron Fitër Bajramin, kërkon kujdes dhe lutje për njëri-tjetrin

  • E.K /
  • 13 May 2021 - 08:51
 Lumir Abdixhiku uron Fitër Bajramin, kërkon kujdes dhe lutje për njëri-tjetrin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët mysliman me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Në telegramin e urimit, Abdixhiku ka thënë se në këto kohëra të vështira për shkak të pandemisë, ta shtojmë kujdesin dhe lutjet për njëri-tjetrin për ta tejkaluar këtë sfidë sa më lehtë e sa më shpejt që t’i kthehemi normalitetit.

Letra e plotë:

“Të nderuar qytetarë të besimit islam,

Festa e Fitër Bajramit kulmon pas një muaji sakrifice, i cili synon rritjen e mirëkuptimit dhe ndjenjës së dhembshurisë dhe të bamirësisë për ata që kanë nevojë për ndihmë dhe solidaritet. 

Të gjithë besimtarët e përmbyllën Muajin e shenjtë të Ramazanit me bindjen se veprat e mira dhe sakrifica personale na kanë afruar me njëri-tjetrin, jo vetëm këtu, por, kudo në botë. 

Të gjithë besimtarëve islam ua uroj festën e Fitër Bajramit me dëshirën për agjërim dhe lutje të pranuara, për shëndet dhe mbarësi në familjet e shtëpitë tuaja. 

Në këto kohëra të vështira për shkak të pandemisë, ta shtojmë kujdesin dhe lutjet për njëri tjetrin për ta tejkaluar këtë sfidë sa më lehtë e sa më shpejt që t’i kthehemi normalitetit.”

(Kosova Sot Online)