Izraeli intensifikon sulmet në Gaza me artileri të rëndë, palestinezët hedhin raketa

  • G.G /
  • 14 May 2021 - 09:09
Izraeli intensifikon sulmet në Gaza me artileri të rëndë, palestinezët hedhin raketa

Ushtria izraelite i ka intensifikuar sulmet në Gaza, ndërsa militantët palestinezë po vazhdojnë të hedhin raketa drejt Izraelit edhe në ditën e pestë të përleshjeve.

Forcat izraelite thanë se trupat tokësore dhe forcat ajrore u përfshinë në sulmet e së premtes, por nuk janë futur në territorin e Gazës.

Një reporter i BBC-së në Gaza tha se ka pasur bombardime të shumta dhe se në sulme janë përdorur anije të armatosura, aeroplanë luftarakë dhe helikopterë.

Mbi 100 njerëz janë vrarë në Gaza dhe shtatë të tjerë në Izrael që nga fillimi i luftimeve të hënën.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, urdhëroi përforcim masiv të forcave të sigurisë për t’i shtypur kryengritjet e brendshme, me ç’rast janë arrestuar mbi 400 persona.

Policia thotë se arabët izraelitë janë përgjegjës për shumicën e trazirave dhe i refuzon akuzat se policët vetëm po shikojnë përderisa bandat e të rinjve hebrenj i sulmojnë shtëpitë e arabëve.

Në Gaza, palestinezët e frikësuar nga hyrja e mundshme e trupave izraelite, kanë ikur nga zonat afër kufirit me Izraelin. Ushtria izraelite tha se ka kryer një operacion gjatë natës për të shkatërruar një rrjet të tuneleve të Hamasit, por asnjë ushtar nuk ka hyrë në Gaza.

Në një deklaratë të publikuar të premten në mëngjes, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se operacioni i ushtrisë izraelite kundër militantëve palestinezë në Gaza do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme dhe se Hamasi do të paguajë një çmim të lartë për sulmet me raketa.

(Kosova Sot Online)