Shtohen viktimat, babai dhe tre fëmijët e tij vriten nga sulmet në Gaza

  • G.G /
  • 14 May 2021 - 11:28
Shtohen viktimat, babai dhe tre fëmijët e tij vriten nga sulmet në Gaza

Një baba dhe tre djemtë e tij janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave izraelite në Rripin e Gazës në mëngjesin e së premtes.

Sipas ekipeve të mbrojtjes civile, ushtria izraelite e ka bombarduar masivisht pjesën veriore të Gazës, përfshirë qytezën Beit Lahia, ku u gjetën trupat e një burri dhe të tre djemve të tij nën rrënojat e një ndërtese të shembur.

Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar përpjekjet e tyre në rrënojat e disa ndërtesave që u shembën nga sulmet, shkruan Anadolu.

Izraeli po vazhdon që ta sulmojë Gazën nga ajri. Ministria e Shëndetësisë e Palestinës të enjten njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në 119, përfshirë 27 fëmijë e 11 gra. Deri të enjten janë regjistruar edhe 580 të lënduar.

Të premten në mëngjes u vranë edhe gjashtë persona në Gaza nga sulmet ajrore të Izraelit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza përmes një deklarate.

Në anën tjetër, në Izrael deri më tani janë regjistruar shtatë viktima: gjashtë të vrarë nga sulmet me raketa dhe një ushtar i vrarë nga një raketë anti-tank, që e goditi veturën me të cilën po udhëtonte.

(Kosova Sot Online)