Si po ecë procesi i vaksinimit sot, flet koordinatori në qendrën “1 Tetori”

  • G.G /
  • 15 May 2021 - 12:54
Si po ecë procesi i vaksinimit sot, flet koordinatori në qendrën “1 Tetori”

Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi ka dhënë detaje për vazhdimin e procesit të vaksinimit në Kosovë. Ai tha se vetëm sot në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar 165 persona, ndërsa në nivel vendi sot janë vaksinuar 2.103 qytetarë.

“Edhe sot jemi duke vazhduar me vaksinimin e kategorisë së të moshuarve mbi moshën 65-vjeçare. Deri në këto momente që po flasim aktualisht kemi të vaksinuar 165 persona, gjithmonë me prioritet ata që janë të kontaktuar dhe që kanë aplikuar online”, deklaroi ai.

Më tutje Bardhi tha se nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më tani, janë vaksinuar mbi 37 mijë persona.

“Gjithçka është duke shkuar mirë dhe procesi i vaksinimit nuk ka paraqitur ndonjë problem në zbatim. Në nivel; vendi numri i të vaksinuarve vetëm sot edhe në komunat e tjera, 2.103 persona e kanë marrë vaksinën Astra Zeneca. Nëse e shohim nga fillimi i procesit të vaksinimit tashmë i kemi 37 mijë të vaksinuar në nivel vendi. Kjo është gjendja për sa i përket vaksinimit”, ka thënë ai.

Ai u deklarua edhe për tollovinë që është shkaktuar tek salla “1 Tetori”, dje.

Ai tha se të gjithë ata që kanë ardhur dhe nuk kanë qenë të regjistruar për vaksinim nuk do të marrin vaksinën tek salla “1 Tetori”.

“Të gjithë ata që nuk janë thirrë dhe nuk janë konfirmuar për vaksinim nga MSH-ja nuk vaksinohen në sallën “1 tetori”. Vaksinimi është duke vazhduar me vaksinën Astra Zeneca”, tha Bardhi. 

(Kosova Sot Online)