Ministri Sveçla deklarohet për aksionin e kapjes së kokainës

  • A.P /
  • 17 May 2021 - 15:54
Ministri Sveçla deklarohet për aksionin e kapjes së kokainës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar për kapjen e qindra kilogramëve të kokainës në territorin e Kosovës. Por, i njëjti nuk ka dhënë detaje as për sasinë e saktë të substancës narkotike e as për arrestimet e të dyshuarve.

Ai ka thënë se është kapur një sasi e konsiderueshme e kokainës, teksa ka shtuar se Kosova do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale.

“Sot gjatë një aksioni të koordinur me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë.

Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre.

Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.

Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Pamje nga vendi i ngjarjes – kapja e kokainës/ Forca të shumta të policisë në Lipjan

Forca të shumta të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në hyrje të Lipjanit, aty ku dyshohet se ndodhet sasia e kapur e kokainës, që sipas informacioneve të para është rreth 400 kg.

Katërqind kilogramë kokainë u kapën në një konteiner me mish që vinte nga Brazili dhe sipas raportimeve të mediave shqiptare, bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s (Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës), të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.

(Kosova Sot Online)