Kurti përfundon takimin me Merkelin, flasin për dialogun, vaksinat dhe investime që hapin vende të punës

  • A.P /
  • 17 May 2021 - 21:41
Kurti përfundon takimin me Merkelin, flasin për dialogun, vaksinat dhe investime që hapin vende të punës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se cfarë ka biseduar në një bisedë virtuale me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Në një status në Tëitter ai ka thënë se i ka kërkuar ndihmë për vaksina, investime që sjellin vende të punës dhe kanë biseduar për drejtësinë.

Tutje ai ka shtuar se marrëdhëniet tona me shtetin e Gjermanisë janë të forta.  

“Një bisedë e hapur dhe e detajuar me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Ne adresuam një sërë çështjesh përfshirë vaksinat, vendet e punës dhe drejtësinë, duke theksuar marrëdhëniet tona të forta dhe nevojën për investime që sjellin vende pune”, ka thënë ai.

Tutje ai ka treguar se kanë biseduar edhe për dialogun me Serbinë.

“Për dialogun kemi rënë dakord që ai duhet të jetë i barabartë dhe të rezultojë në njohje reciproke”, shtoi ai.

Kurti ka shkruar më gjerësisht edhe në Facebook lidhur me bisedën që pati me Merkel.

“Sot pata një takim virtual me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel. E falënderova kancelaren për takimin dhe letrën e urimit me rastin e zgjedhjes kryeministër, dhe përkrahjen e ofruar aty për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj, teksa pranova urimet e saj për fitoren plebishitare. Gjatë bisedës e sigurova kancelaren Merkel për përkushtimin tonë në realizimin e planeve për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës nëpërmjet përfshirjes së afaristëve gjermanë dhe mërgatës së madhe shqiptare që jeton në Gjermani. Në diskutimet për mërgatën e Kosovës në Gjermani, kancelarja theksoi se është duke shikuar me vëmendjen e duhur çështjen e njohjes së patentë-shoferëve të Kosovës.Në lidhje me dialogun me Serbinë, u pajtuam se ai duhet të jetë dialog i drejtë, i ndërtuar mbi mirëbesim dhe që për rezultat duhet të ketë njohjen reciproke, kurse shtova se pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve – nuk mund të kthehemi para vitit 2008.Biseduam edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Në pritje të Samitit të Berlinit, që pritet të mbahet në fillim të korrikut, theksova se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralelel me demokratizimin e rajonit. Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Në takim, mora konfirmimin e kancelares Merkel për mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

(Kosova Sot Online)