WP: Administrata e Biden jep dritën jeshile për t’i shitur Izraelit armë në vlerë prej 735 milionë dollarësh

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 10:15
 WP: Administrata e Biden jep dritën jeshile për t’i shitur Izraelit armë në vlerë prej 735 milionë dollarësh

Gazeta e njohur amerikane, The Washington Post, ka raportuar se presidenti i ShBA-së, Joe Biden, e ka miratuar shitjen e armëve në vlerë të 735 milionë dollarëve për Izraelin.

E përditshmja e famshme raportoi se miratimi është bërë më 5 maj, para eskalimit të situatës në Gaza. Megjithatë, vendimi u mor në kohën kur pati shumë kritika për dëbimin e planifikuar të palestinezëve nga një lagje e Jerusalemit Lindor dhe bastisjeve në xhaminë Al-Aqsa.

Agjencia Reuters raportoi se Kongresi është informuar në prill për shitjen e planifikuar të këtyre armëve, si pjesë e një procesi joformal të rishikimit, para njoftimit zyrtar më 5 maj. Sipas ligjit amerikan, njoftimi zyrtar hap afatin prej 15 ditësh brenda të cilit Kongresi mund të paraqesë ankesë, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pavarësisht dhunës së vazhdueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Vendimi për t’ia dhënë dritën e gjelbër shitjes së armëve Izraelit ka nxitur kundërshtime nga disa anëtarë të Partisë Demokratike, pjesë e së cilës është presidenti amerikan. Këtë vendim e kundërshtoi kongresistja Ilhan Omar, e cila kërkoi që shitja e armëve të mos ndodhë.

“Nëse ky proces vazhdon, ai do të shihet si dritë e gjelbër për vazhdimin e eskalimit dhe do t’i dëmtojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi”, tha kongresistja amerikane.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Palestinë, së paku 212 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza javën e kaluar. Në mesin e viktimave janë 61 fëmijë. Në anën tjetër, në Izrael deri më tani janë vrarë 10 persona nga raketat palestineze.

(Kosova Sot Online)