Magbule Shkodra tregon arsyen e dorëheqjes nga AAK-ja e Ramush Haradinajt

  • E.K /
  • 18 maj 2021 - 11:53
 Magbule Shkodra tregon arsyen e dorëheqjes nga AAK-ja e Ramush Haradinajt

Magbulle Shkodra ka dhënë dorëheqje sot nga të gjitha pozitat që mbante brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ajo dha dorëheqje edhe nga pozita e nënkryetares, vendim për të cilin thotë se ishte në dijeni edhe kryetari Ramush Haradinaj. Por cila është arsyeja e vërtetë e dorëheqjes?

Magbule Shkodra sot i ka dhënë fund rrugëtimit politik me AAK-në e Ramush Haradinajt. Për  medias ajo tha se ka kohë që nuk ka qenë aktive në parti.

Madje ajo nuk garoi për deputete as në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti. E gjendja e vështirë në të cilën gjendej partia, Shkodra thotë se e shtyu edhe më shumë dorëheqjen e saj.

“E kam marrë këtë vendim sepse ka një kohë që nuk kam qenë më aktive dhe nuk kam marr pjesë as në zgjedhjet e fundit. Nuk kam kërkuar as besim të elektoratit në AAK. Megjithatë  nuk kam dashur që të jap dorëheqje më herët për shkak të rrethanave në të cilat po kalonte partia dhe kolegët me të cilët kam pasur bashkëpunim shumë të mirë”, ka thënë ajo.

Shkodra tha se tani ishte momenti i duhur për dorëheqje. E për këtë vendim ajo pati mbështetje edhe nga i pari i partisë.

“Ky ishte momenti kur mendoj që unë duhet me ju tregu edhe njerëzve që më nuk jam pjesë e AAK-së. për këtë vendim i kam njoftuar kryetarin Haradinaj dhe kam marrë edhe prej tij mbështetje. Edhe ai është në dijeni. Kështu që vazhdojmë secili me angazhimet e veta”, deklaroi më tutje ajo.

Për sa i përket punës që ka bërë për AAK-në, Shkodra deklaroi se ka qenë shumë korrekte.

“Ka një kohë që për arsye personale nuk kam mundur as të shkojë në AAK, Kështu që nuk kam pasur me i taku kolegët. Megjithatë kam qenë korrekte në mënyrën se si kam punuar dhe si jam sjellur deri tash. Rrugët ndahen në një moment”, tha më tutje ajo.

Ndërkohë Magbule Shkodra përveç nënkryetare në AAK ishte edhe anëtare e Kryesisë dhe kryetare e forumit të gruas.

(Kosova Sot Online)